Më 21 janar të vitit 1925, vdiq në Tiranë, Hoxhë Kadri Prishtina. U lind në vitin 1878, në Prishtinë. ishte njëri nga nëntë fëmijët e Lutfullah Halimit. Mësimet fillore i kreu në gjuhën turke, ndërsa ato të mesmet, në Shkup. Studimet i vazhdoi në Stamboll, në një Shkollë të Lartë Pedagogjike. Më pas u regjistrua në Medresenë e famshme “Fatih”, ku edhe aty diplomoi me rezultat të shkëlqyeshëm. Në vitin 1904, kishte fituar titullin Myderriz (Profesor) dhe Dijetar. Po në këtë vit, u arrestua në Stamboll. Sa ishte në internim, në Sinope e në burg në Jedikule, ku vuanin dënimin edhe të burgosur tjerë politikë shqiptarë, Hoxha Kadriu u sëmur rëndë, dhe iu desh të bënte prerjen e këmbës mbi gju. Në vitin 1915, në Shkodër e krijoi një komitet me emrin “Komiteti i Fshehtë”, kurse pas tri vjetësh me një grup atdhetarësh, intelektualësh, kryesisht nga Kosova, më 1 Maj të vitit 1918, në Shkodër, kishte themeluar Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në përbërje të tij kishte Këshillin Qendror, ku bënin pjesë shtatë anëtarë, të cilët e zgjodhën kryetar Hoxhë Kadri Prishtinën, nënkryetar Hysni Currin dhe sekretar, Bedri Pejanin. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, përveç degëve që kishte në gjithë Shqipërinë, e kishte organin e vet, gazetën “Populli”, e cila botohej në Shkodër, nën drejtimin e mësuesit atdhetar, Sali Nivica. Në vitin 1919, për t’u ndihmuar kryengritësve, Komiteti, në udhëheqjen e Hoxha Kadriut, përgatiti Programin e përgjithshëm të kryengritjes në Kosovë. Në vitin 1921 sërish ministër Drejtësie, më pas nënkryetar i Këshillit Kombëtar. Me zgjedhjet e 1921 u zgjodh si përfaqësues i prefekturës së Dibrës dhe i prefekturës së Kosovës nga dhjetori i 1923. Ndërroi jetë me 21 janar 1925, në moshën 47 vjeçare në Tiranë.
Prej datës 21 deri më 31 janar të vitit 1920 u mbajt, Kongresi i Lushnjes, ku ishte miratuar një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Kongresi zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina. Kongresi i Lushnjes kreu punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kasëm Fuga, nga 21 deri më 31 janar te vitit 1920. Në Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i Kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga rreziku i copëtimit të Shqipërisë. Delegatëve i uroi mirëseardhjen në Kongres Ferit Vokopola që ishte delegati i Prefekturës së Beratit, Lushnjes dhe Skraparit. Pas Vokopolës, fjalën e mori atdhetari Aqif Pashë Elbasani, i cili iu përgjigj shkurt të gjitha pyetjeve të bëra nga delegatët duke mbyllur ceremoninë e hapjes së Kongresit. Më pas u bë ndarja e deputetëve nëpër komisione të ndryshme, të cilat filluan nga puna menjëherë.
Më 21 janar 2011, gjatë një proteste të Partisë Socialiste u vranë nga regjimi i Salih Berishës tre demonstrues, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Pak ditë më vonë, ndërroi jetë në spital edhe, Aleks Nika, i cili kishte marrë një plumb në kokë. Protestuesit përshkuan rrugën nga sheshi “Skënderbej” deri para Kryeministrisë. Turma nisi me thirrje kundër Kryeministrit, duke u përplasur me kordonët e policisë Ngjarja u filmua nga dhjetëra stacione televizive, të cilët, duke pasqyruar me profesionalizëm, pse jo dhe me guxim, detajet më të imta të zhvillimeve të saj, ndihmuan jo pak për hetimet.
Më 21 janar të vitit 1957 u lind në Tiranë, Ndriçim Xhepa. Pas mbarimit te studimeve për aktor, në Akademinë e Arteve, me 1979, fillon punën si aktor i Teatrit Kombëtar. Ka interpretuar rreth 40 role, nga te cilët veçohen ato në “Prometeu” te Eftimiut, “Në jete” te Dhimiter Xhuvanit, “Monserrati” te Roblesit, “Vdekja e një komisioneri” te Milerit, “Nen dritat e skenës”, “Nesër është vone” dhe “Shkallet” te R. Pulahes, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Romeo e Xhulieta” te Shekspirit, “Fernando Krafi me ka shkruar ketë letër” te Dorstit, me te cilën fiton Çmimin “Aleksandër Moisiu” për Aktorin me te Mire në Festivalin Kombëtar te Teatrit, të vitit 1995, “Vdekja e Dantonit” te Byhnerit, “Nata e trokitjeve në xhama” te Dh. Anagnostit, “Vdekja dhe virgjëresha” te Dorfmanit, “Portreti i Dorian Greit” te Uajlldit dhe “Kapitulli i Dytë” te Sajmonit me të cilin fiton Çmimin për Aktorin më të Mirë në Festivalin Mbarëkombëtar të Aktrimit, “Apollon 2004”, në Fier. Që nga viti 1988 është pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve, në Fakultetin e Artit Skenik.
Më 22 janar të vitit 1828, lindi Elena Gjika. Ajo ishte e bija e Mihal Gjikës, vëllait të Princit të Vllahisë, Grigor Gjika dhe e Katarina Gjikës. E ëma ishte e shkolluar. Elena Gjika mori një arsim të shkëlqyer, duke studiuar letërsinë së pari në Dresden, në Vjenë, Venddik dhe së fundi në Berlin ku diplomoi në fushën e letërsisë së vjetër greke. Ajo kthye përsëri në vendin e saj në vitin 1849 dhe u martua me dukën rus, Aleksandër Massalski. Si publiciste dhe shkrimtare Elena Gjika u bë e njohur në vitin 1855. Ajo shkruante me emrin Dora D’Istria. Gjika botoi një numër shkrimesh që tregonin jo vetëm njohjet e gjuhëve rumanisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht, latinisht, greqisht (e vjetër dhe moderne) dhe rusisht, por edhe njohuritë e saj në fushën e shkencës, fesë, politikës, si dhe talentin për të paraqitur pikëpamjet e saj. Elena mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës si kundërshtare e sundimit despotik monarkist dhe e shtypjes Kombëtare. U radhit në mes të 10 femrave më të ngritura intelektualisht ne botën e asaj kohe. Përkrahu Rilindjen Kombëtare Shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar si: Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj. Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes Shqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindës dhe arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan librin me titull : Dora d’Istrias-Shqiptarët në vitin 1870, që ishte një përmbledhje vjershash patriotike. Elena Gjika vdiq në Firence më 17 nëntor të vitit 1888.
Më 22 janar të vitit 1998 forcat serbe sulmuan për herë të dytë familjen Jashari, në Prekaz të Drenicës. Në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, bija e Rifat Jasharit dhe Selvetja, bija e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i shkuan miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. At vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.
Më 22 janar 1999, një javë pas lirimit të eprorëve e ushtarëve serbë nga UÇK-ja, regjim i Milosheviqit, sipas marrëveshjes paraprake me ndërmjetësimin e Komisionet Verifikues. kishte liruar nga Burgu i Nishit 9 luftëtarët e plagosur të UÇK-së të cilët ishin zënë rob nga forcat ushtarake serbe, më 14 dhjetor të vitit 1998, në Betejën e Pashtrikut, ku kishin rënë 41 luftëtarët të UÇK-së në krye me komandantin, Mujë Krasniqi. Atë ditë, verifikuesit e OSB-së kishin kthyer në Likoc nëntë luftëtarët e UÇK-së të cilët në emër të SHP të UÇK-së i kishin pritur, Jakup Krasniqi, Sokol Bashota e të tjerë.
Më 22 janar të vitit 1999, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rënë dëshmorë luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nysret Cena.
Më 23 janar të vitit 1899 u mbajt Kuvendi kombëtar i Pejës në krye me Haxhi Zekën. Në fund të shekullit 19-të tokat e banuara me shqiptarë u vunë përsëri në rrezik kur fqinjët ballkanikë të shqiptarëve filluan aktivisht të ndeshen për të marrë pjesë nga territori i Maqedonisë, kontest që do të shpinte drejt Luftërave Ballkanike. Territori i Kontestueshëm përfshinte edhe katër vilajetet shqiptare. Patriotët shqiptarë filluan përgatitjet për krijimin e një organizate të re për t’iu bërë ballë këtyre rreziqeve në vjeshtën e vitit 1896. Takimi i parë u mbajt në mars 1897 në Gjakovë kur u krijua Besëlidhja Shqiptare. Në nëntor u mbajt edhe një takim tjetër, në Pejë ku morën pjesë 500 veta, pas së cilës Perandoria turke intervenoi dhe shpërndau Besëlidhjen. Më 23 janar 1899 nën kërcënime të reja për tokat shqiptare në Pejë u mblodh një kuvend me 500 pjesëmarrës nga vilajetet e Kosovës dhe më pak nga ata të Manastirit dhe të Janinës. Në kuvendin gjashtë ditor zuri fill Lidhja e Pejës ose siç u quajt edhe “Besa-Besë”. Kuvendi u organizua, u drejtua, dhe zgjodhi kryetar, Haxhi Zekën. Ai doli me një program 11 pikësh i cili kundërshtonte përpjekjet për të copëtuar tokat shqiptare. U shpall edhe Besa e përgjithshme popullore për një vjet.
Më 23 Janar të vitit 1946 ishte arrestuar Mysine Kokalari, shkrimtare, antikomuniste. Ajo kishte refuzuar të hiqte dorë nga bindjet e saj, për një sistem pluralist dhe shoqëri të lirë. Më 2 qershor 1946, Musine Kokalari u gjykua nga komunistët për bashkëpunim me forcat fashiste. U dënua me 25 vjet burg nga të cilat 16 i kishte mbajtur. Më 1962, u transferua nga ambientet e burgut, në Rrëshen. Përndjekja e vazhdueshme dhe mungesa e kushteve më minimale ndikoi drejtpërdrejtë në aktivitetin letrar të Musinesë. Vetëm në vitin 1972, Musine Kokalari arriti të përfundonte në fshehtësi një libër të saj të titulluar “Si lindi Partia Social Demokrate” ku ajo shpjegon pikëpamjet e saj anti-komuniste dhe shpjegon alternativën e saj progresiste e demokratike.
Më 23 janar të vitit 1932, në Gjakovë u lind, Fehmi Agani, ku e mbaroi edhe shkollën fillore, ndërsa gjimnazin e kreu në Prishtinë. Studimet për filozofi i mbaroi në Beograd në vitin 1959. Po kështu në Beograd i kreu me sukses studimet pasuniversitare në shkencat politike, ku edhe magjistroi. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. më 1973. Fehmi Agani një kohë punoi si profesor i shkollave të mesme në Prishtinë, ndërsa më vonë si gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Rilindja”. Në vitin 1965 u zgjodh ligjërues i sociologjisë në fakultetet e Prishtinës. Në vitin 1967 u zgjodh drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më vonë u zgjodh prodekan dhe dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe Filozofisë, pastaj i Institutit të Sociologjisë. Pas vitit 1981, në valën e diferencimeve ideo-politike u përjashtua nga procesi mësimor. Agani luajti rolin vendimtar në formësimin e politikës paqësore të cilën e mbështeti Ibrahim Rugova. Për idetë dhe angazhimet e tij për çlirimin e Kosovës, u vra afër Lipjanit nga forcat ushtarake e policore serbe, më 6 maj të vitit 1999, në kohën kur kishte bërë përpjekje të shkonte në Maqedoni me shumë shqiptarët të tjerë. Fehmi Agani ishte nënkryetar shumëvjeçar i LDK-së dhe politikan me autoritet.
Më 24 janar 1844 lindi në Vlorë, Ismail Qemali, kryetari i parë i Shqipërisë së pavarur, politikan, burrë-shteti, diplomat, themelues i Pavarësisë. Ismail Qemal bej Vlora, ka qenë nëpunës dhe deputet i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes kombëtare dhe themelues i shtetit shqiptar. Ishte firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912. Në vitin 1855 u regjistrua në gjimnazin «Zosimea» në Janinë, ku mori njohuri në matematikë e fizikë dhe privatisht mësoi edhe arabisht e frëngjisht. Më 1 maj 1900, u arratis nga perandoria nën mbrojtjen e britanikëve, pasi kishte kërkuar strehim në jahtin e ambasadës angleze, në Bosfor. Më tej u vendos në Lozanë të Zvicrës. Me ftesën e kolonisë shqiptare të Egjiptit, shkoi në Kajro. Mëngjesin e 23 nëntorit të vitit 1912, me një karvan prej 40-50 vetash, i shoqëruar nga Dom Nikollë Kaçorri si përfaqësues i katolikëve shqiptarë me urdhrin e arqipeshkvit të Durrësit, Abdi e Murat bej Toptani si delegatë të Tiranës, Mustafa Merlika që përfaqësonte Krujën dhe Qemal Karaosmanin që kishte ardhur nga Berati, pastaj mytesarifi i Vlorës Xhemil beu dhe i biri si kapiten i milicisë vendase, Et’hem beu, kishin përgatitur terrenin dhe organizimin e kuvendit duke lajmëruar paraprakisht delegatët. Të gjithë delegatët që kishte me vete u vendosën në selamllëkun e sarajeve, ku dhe u mbajt Kuvendi, të cilin e çeli Ismail Qemali me një fjalim, dhe më pas firmosi me siglën Ismaïl Kemal” në rezolutën e përpiluar nga sekretarët e mbledhjes, shqip nga Gurakuqi e osmanisht nga Shefqet Dajiu. Kryetar i qeverisë u zgjodh Ismaili, ndërsa Don Nikollë Kaçorri nënkryetar. Anëtarët e qeverisë u lanë për t’u zgjedhur më 4 dhjetor pasi të vinin edhe delegatët e viseve të tjera, dhe kryetari proklamoi mëvetësinë duke valëvitur flamurin në njërën prej dritareve qendrore të selamllëkut të Vlorajve. Ndërroi jetë në Peruxhia të Italisë më 24 janar të vitit 1919. I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren, në Brindizi nga ku, në bordin u shoqërua për në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora.
Më 24 janar të vitit 1909 ka vdekur Halit bej Bërzeshta, veprimtar i Rilindjes Kombëtare dhe mjek ushtarak i Perandorisë Osmane. U lind më 1840 në familjen e Sali Vretos në fshatin Bërzeshtë, asokohe në kazanë e Starovës. Mësimet e para i mori në mejtep nga hoxha i fshatit. I ati mori rrugët e mërgimit për në Stamboll, ku nisi punë me mëditje si bahçevan te një çifligar, ku më pas mori të birin. Vijoi shkollimin e mesëm në Stamboll, ku përparoi në mësimin e turqishtes e arabishtes. Më 1866 në Janinë, Haliti e ndoqi mësimet, dhe aty u njoh me vëllezërit Frashëri e në veçanti me Naimin. Më 1872 u emërtua kryefarmacist i oborrit perandorak. Pas Lidhjes së Prizrenit, u delegua me punë në Manastir si kryefarmacist i korparmatës së III-të. Më 1896 themeloi Organizatën e fshehtë të shqiptarëve të Manastirit, së bashku me Fehim bej Zavalanin, Qiriazët, Sabri e Shefqet Frashërin, Shtëpia e tij u bë vendtakimi për veprimin në bashkërendim me Komitetin e Stambollit për përhapjen e librave shqip me Shahin Kolonjën. Bashkëpunonte me Hoxhë Vokën dhe Hamdi bej Çoku-Ohrin. Në vitet e fundit të shekullit XIX, ishte në kontakt të vazhdueshëm me Haxhi Zekën. Më 1905 u formua selia e klubit “Bashkimi” në Manastir, i njohur si Komiteti i fshehtë për lirinë e Shqipërisë në krye me Halit Beun, me Zavalanin, Bajo Topullin, Sejfi Vllamasin, Gjergj Qiriazin, Jashar Bitinckën, Aleksandër Baltadorin, Nuçi Naçin e të tjerë. Për veprimtarinë e tij propaganduese u arrestua nga autoritetet osmane vjeshtën e 1907, dhe u dërgua në Beirut dhe nëç Damask. Kjo ngjati deri me Revolucionin Xhonturk të 1908, u kthye në Selanik, ku u emërua drejtor i spitalit ushtarak dhe brenda më pak se një viti, më 24 janar 1909 ndërroi jetë.
Më 24 janar të vitit 1926, ka ndërruar jetë Sali Murati, i njohur edhe si Salih Kapedan Vranishti. Lindi ne Vranisht te Vlorës më 20 mars 1880. Si kryengritës, qysh në moshë të re përndiqet, arrestohet tradhtisht dhe izolohet në kështjellën e Janinës. Arratiset prej këtej i plagosur dhe qysh në fillim të shekullit të XX-të fillon jetën e komitit. Me frymëzim të Ismail Qemalit, në nëntor 1908, krijon çetë patriotike me luftëtarë nga Vranishti dhe Lumi i Vlorës. Ai e udhëhoqi me trimëri e heroizëm këtë çetë në disa aksione, jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me 1911 është pjesëmarrës në Mbledhjen e Drashovicës në përkrahje të kërkesave te Memorandumit të Gërçes. Aksioni më i bujshëm është ai i hapjes së burgut të Vlorës, më 24 gusht 1912, prej të cilit liroi gjithë të burgosurit, ngjarje qe pati jehonë në shtypin vendas dhe atë të huaj. Në prag të shpalljes së pavarësisë, shkon në ndihmë të popullsisë të Delvinës dhe lufton ndaj bandave shoviniste greke. Me krijimin e qeverisë të Ismail Qemalit, gradohet kapiten dhe emërohet komandant i Sigurimit Publik. Në krye të forcave atdhetare zmbraps rrebelimin esadist kundër Qeverisë së Vlorës në Cakran dhe Myzeqe. Mbas këtyre ngjarjeve, plagoset. Së bashku me Çerçis Topullin organizojnë dhe drejtojnë luftimet në mbrojtje të trojeve amtare nga andartët grekë dhe shovinistët e Jugut. Në vitin 1918 bën pjesë në shoqërinë patriotike “OPINGA”. Në Luftën e Vlorës spikat për kontribut të jashtëzakonshëm. Plagoset rëndë gjatë sulmit për marrjen e kalasë së Kaninës. Gazeta italiane “EPOKA” do ta cilësonte “Gjeneralissimi i rebelëve të Jugut”. Me çlirimin e Vlorës, përfshihet në strukturat e sigurisë kombëtare. Në shtator 1920 merr pjesë në luftimet kundër pushtuesve serbë në Macukull dhe në Shkallë të Deshe në zonën e Matit. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” dhe me fillimin e Revolucionit të qershorit udhëheq forca kryengritëse. Në Tiranë i besohen detyra në mbrojtje të Qeverisë së F. Nolit. Me dekret të veçantë, më 1 nëntor 1924, Qeveria Demokratike, krahas Bajram Currit dhe Hysni Currit, nxjerr në pension edhe Sali Vranishtin me motivacionin e invaliditetit. Në dhjetor 1924 merr pjesë në luftimet në Shkallë të Tujanit kunder forcave të kombinuara zogisto-vrangeliste. Me triumfin e forcave revanshiste, në janar 1925 kthehet i dëshpëruar në vendlindje. Plagët e pa mbyllura në trup, i marrin jetën më 24 janar 1926, në moshën 46 vjeçare.
Në mbledhjen e dytë të kongresit, e cila u mbajt më datën 24 janar, u zgjodh si Kryetar i Kongresit, Aqif Pashë Elbasani. Po atë ditë nga ana e delegatëve u mbajtën fjalime të ndryshme mbi vrasjen e patriotit Abdyl Ypi, i cili kishte qenë një nga iniciatorët e mbajtjes së atij kongresi. Abdyl Ypin e kishin vrarë njerëzit e qeverisë së Durrësit, pak ditë përpara mbajtjes së asaj mbledhje, me qëllim që të frikësonin delegatët për të mos marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes. Anëtarët e Komisionit Nismëtarë të Kongresit të Lushnjes kanë qenë : Besim Nuri Ferit Vokopola, Sheh Ibrahim Karbunara, Taullah Sinani, Emin Vokopola, Llazar Bozo, Nebi Sefa, Qemal Mullai, Zija Mullai, Mustafa Vokopola, Eshref Frasheri, Jonuz Sefa, Bajram Haxhiu, Skender Pojani, Kadri Jenisheri, Teki Libohova, Filip Papajani, Abedin Nepravishta, Jakov Bozo, Andrea Papaj, Qerim Arapi, Arif Kurti, Muntar Luarasi, Reshat (Hysni) Shazivari, Abdyl Azizi.
Më 25 janar 1822 u vra, Ali Pashë Tepelena, sundimtar, politikan, kundërshtar i Perandorisë Osmane, i Carit rus dhe i Napoelon Bonapartës, i njohur edhe si Sulltani iBallkanit. Ali Pashë Tepelena, i njohur nga qarqet evropiane si “Luani i Janinës”, ishte themelues i Pashallëkut autonom të Janinës, si dhe si kryengritës kundër pranisë së Perandorisë Osmane në vilajetet shqiptare. Lindi rreth viteve 1747 në Tepelenën e Labërisë. Familja e Ali Pashës ishte një nga familjet me të forta në trojet shqiptare. U dallua shumë shpejt për aftësitë e tij dhe për energjinë me të cilën ndoqi planet e veta ambicioze për t’u bërë sundimtar i vetëm i vendit duke përdorur gjithë mjetet, dhunën, dinakërinë, po aq sa edhe lidhjet familjare me feudalët e tjerë vendas. Më 1784 fitoi gradën e Pashait si komandant ushtarak pranë Valiut të Rumelisë në Sofje. Po këtë vit siguroi me luftë qeverisjen e sanxhakut të Delvinës. Në vitet 1786-88 u bë derbend-pashë dhe qeveritar i Sanxhakut të Tërhallës. Në vitet 1798-1812, duke nënshtruar me luftë qeveritarët rivalë të sanxhaqeve fqinjë si dhe krahinat e vetëqeverisura të Sulit, Himarës, dhe duke shfrytëzuar situatën e vështirë të Perandorisë Osmane në periudhën e luftërave të Napoleon Bonapartit, Ali Pashë Tepelena arriti të zgjeronte e përforconte pushtetin e vet duke përfshirë trevat që nga gjiri i Prevezës deri afërsisht në lumin Shkumbin. Prej vitit 1812 kishte marrë nën kontroll pjesën më të madhe të trojeve të Ballkanit, krahinat greke, shqiptare e bullgare. Nuk e kishte njohur autoritetin e Sulltan Mahmutit të Dytë edhe kur ai kishte dërguar disa ekspedita për ta nënshkruar por nuk kishte arritur. Ali Pashë Tepelena kishte nënshtruar grekët, suliotët, arvanitasit, por edhe i kishte ndihmuar në luftën e tyre për çlirim. Ideja e tij për Mbretërinë e Epirit ku do të përfshiheshin të gjitha vilajetet shqiptare, arvanitase e greke, nuk u përkrah nga masat shqiptare, meqë ende nuk ishte konsoliduar vetëdija kombëtare. Për 45 vjet të sundimit të tij ishte kthyer në legjendë të gjallë dhe konsiderohej si rivali kryesor i Sulltan Mahmudit dhe Sulltan i Ballkanit. Kishte përballuar sulmet e Napoleon Bonapartës, të Sulltan Mahmudit, të Carit rus dhe kryengritjet e brendshme. Kalanë e Janinës e kishte kthyer në fuqi baroti dhe kishte mposhtur me sukses çdo sulm nga çdo anë, deri në vitin 1822, kur Perandoria i kishte premtuar t’ ia falte kokën, por sapo e kishte lëshuar Janinën ishte vrarë në pabesi, i tradhtuar nga arvanitasit, suliotët grekët e shqiptarët. Për Ali Pashë Tepelenën janë shkruar dhjetëra romane, qindra shkrime e monografi në shumë gjuhë të botës.
Më 25 janar të vitit 1935 u lind në Tiranë, Skënder Sallaku, aktor i njohur. U shqua si një nga aktorët më të mëdhenj të humorit gjatë gjithë karrierës së tij. Ish Kampion Kombëtar në mundjen klasike, autor skeçesh e parodish, aktivist shoqëror, ai e shkriu gjithë energjinë dhe pasionin e tij në skenë duke i falur të qeshura dhe lumturi popullit të tij. Talenti si aktor i humorit spikati që moshën 17-vjeçare, kur kryente shërbimin ushtarak. Skënderi nisi të interpretonte për Estradën e Kufirit. Pas kësaj ai bëri një kualifikim njëvjeçar në Kinë, pranë cirkut të Pekinit dhe më pas si klloun akrobat në cirk, duke dhënë një kontribut të papërsëritshëm në ecurinë e këtij profili sa të vështirë aq edhe të bukur. Por mbi të gjitha, Skënder Sallaku ishte një humorist i shkëlqyer, ku falë roleve të tij të para, u bë shtylla kryesore e Estradës së Tiranës. Vdiq më 11 shkurt të vitit 2014.
Më 25 Janar të vitit 1925, lindi Eleni Qirici, balerina e parë, aktorja dhe akrobatja shqiptare, e cila debutoi me sukses të madh në skenat e Evropës, Australisë dhe Shteteve të Bashkuara te Amerikës. Ajo filloi karrierën artistike në një moshë shumë të re. Në Itali, gjatë turneut të saj të parë ajo bëri disa shfaqje sensacionale ku morën pjesë personalitetet më të larta dhe familja mbretërore. Fama që ajo fitoi gjatë këtij turneu, i dha asaj kontratën e dytë në Francë, që u konsiderua si qendër e artit botëror. Eleni Qirici është personi i parë që shkoi dhe shkëlqeu në Holiwud, duke u bërë e njohur në mbarë Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1938, së bashku me prindërit e saj, ajo erdhi në Shqipëri ku dha disa shfaqje në Korçë, Tiranë dhe gjetkë. Për më tepër ajo është koreografja e parë që organizoi trupën e parë shqiptare të baletit. Që në vitin e parë të mbërritjes në Amerikë, Qirici interpretoi disa role kryesore, në të cilat këndonte, kërcente dhe interpretonte në mënyrë të shkëlqyer. Talenti i saj shumë shpejt të ishte e mirëpritur nga artdashësit amerikanë. Pa vonuar, vepra e vajzës shqiptare u pasqyrua edhe në mjaft media amerikane, të cilat nisën ta krahasojnë me balerinën e famshme amerikane të kohës Eleonor Pauel.