Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Kosova, një histori e shkurtër deri në pavarësi

Lina

NeTeDy.com ?
STAFF
Adm Nt2
Regjistruar më
Tet 30, 2020
Mesazhe
45,731

Ahmet Qeriqi: Kosova, një histori e shkurtër deri në pavarësi​

kosova-njehistoriderinepavaresi-1050x525.jpg

Kosova e sotme përfshin pjesën qendrore të Dardanisë së dikurshme ilirike, ndërsa territori i saj historik gjatë shekujve përgjithësisht shtrihej në sipërfaqen gjeografike të saj, e cila deri në deri në vitin 1912 ishte e njohur si Vilajeti i Kosovës dhe përfshinte rreth 60.000 km2.
Kosova e sotme e rrudhur gjeografikisht, sidomos në shekullin XX tani shtrihet në qendër të Siujdhesës Ballkanike dhe kufizohet në veri dhe në lindje me Serbinë, në juglindje me Republikën e Maqedonisë, në jugperëndim me Shqipërinë dhe në perëndim me Malin e Zi. Ka një sipërfaqe prej 10.908 km² dhe popullsi prej 2 milion e 200 mijë banorë. Kryeqyteti dhe qendra më e rëndësishme e vendit është Prishtina, Shumica dërrmuese e popullsisë, rreth 90 për qind janë shqiptarë, ndërsa pakicat e tjera kombëtare janë serbë, turq, boshnjakë, romë, ashkalinjë dhe egjiptianë.

Kosova, apo Dardania e dikurshme është pjesë përbërëse e qytetërimit të lashtë iliro-dardan dhe e zhvillimit të gjuhës shqipe si pasardhëse në vazhdimësi e gjuhës së moçme ilire. Gjuha shqipe dhe etnosi shqiptar del të jetë formuar në qendër të Ballkanit, në trekëndëshin Sofje, Nish, Shkup, që përfshinte edhe Ulqinin, Shqipërinë e sotme deri në More.
Në shekujt e parë të epokës së re ishte themeluar Mbretëria Dardane, ndërsa më vonë, pas rënies së tërë rajonit të Ballkanit nën Perandorinë romake kishte filluar edhe shfrytëzimi i resurseve natyrore nga Perandoria e Romës deri në shekullin e VIII.

Pastaj kishte ndodhur dyndja e sllavëve në Ballkan, shkizma e Perandorisë në Lindje dhe në Perëndim dhe periudha e sundimit të Bizantit.

Në vitin 1389 në trojet e sotme të Kosovës ishte zhvilluar ndeshja e parë e madhe mes forcave të krishtera të Ballkanit, të përbëra nga shqiptarët, sllavët, boshnjakët, hungarezët, polakët dhe disa vendeve të Evropës kundër dominimit të Perandorisë Osmane.

Përpjekja e dytë për çlirimin e viseve të Kosovës, apo sikur njihet Beteja e Dytë e Kosovës e vitit 1448 kishte shënuar edhe rënien definitive të Kosovës dhe të një pjese të madhe të vendeve të Ballkanit nën Perandorinë turke.

Bashkimi i principatave shqiptare u bë me formimin e Shtetit të Arbrit nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në vitin 1444.

Viti 1478, me rënien e Shkodrës shënon kohën kur trojet shqiptare kishin rënë në sundimin turk.

Prej vitit 1478 e deri në vitin 1912 trojet shqiptare në Ballkan kanë qenë nën Perandorinë turke. Një pjesë e madhe e shqiptarëve kishin pranuar islamin dhe kishin marrë pjesë edhe në jetën administrative, politike e ushtarake të Perandorisë.

Në fillim të shekullit XIX, shqiptarët kishin nën qeverisje dy pashallëqe të mëdha, ku bënin pjesë trojet e katër vilajeteve të njohura të Rumelisë, apo të Arnautistanit.

Pashallëku i Janinës, në krye me Ali Pashë Tepelenën përfshinte pjesën më të madhe të Greqisë së sotme, Çamërinë deri në More, Shqipërinë e Jugut e të lindjes deri në Manastir e Selanik. Pjesa veriore e trojeve shqiptare ishte në qeverisjen e Pashallëkut të Shkodrës, që shtrihej në pjesën verore të vendit Ulqin, Plavë, Guci deri në Sanxhak e deri në Nish.
Në përpjekje për të bashkuar katër vilajetet shqiptare të Rumelisë, të cilat rrezikoheshin nga pushtimi i shteteve sllave e evropiane, për shkak të dobësimit të Perandorisë Osmane, sidomos pas humbjes fatale të saj në Frontin e Lindjes, në Plevne të Bullgarisë në vitin 1877, në qershor të vitit 1878, ishte themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku ishin përfaqësuar krerët e katër Vilajeteve: Abdyl Frashëri, Imer Prizreni, Ali Pashë Gucia, Jashar bej Shkupi, Ilaz Dibra, Hasan Tetova e përfaqësues të tjerë, që kishin shpalosur programin kombëtar të ruajtjes së tërësisë tokësore shqiptare nga shtetet, që kishin për synim aneksimin e trojeve tona në dobi të shteteve të reja të Ballkanit, të cilat i formonin Fuqitë e Mëdha në krye me Rusinë.

Prej vitit 1878 e deri në vitin 1912, shqiptarët e katër vilajeteve, të Janinës, Manastirit, Shkodrës e Kosovës nuk i reshtën përpjekjet e tyre, për ruajtjen e tërësisë tokësore, në luftë kundër shteteve fqinje por edhe kundër vetë Perandorisë Osmane, e cila për ta ruajtur pushtetin autarkik, që po shembej, bënte koncesione me tokat shqiptare.

Në gusht të vitit 1878, Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Gjakovë, nuk ishte pajtuar me dorëzimin e Plavës, Gucisë e Ulqinit, Malit të Zi, sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit të po atij viti. Në shenj revolte forcat kryengritëse kishin rrethuar gjeneralin turk Mehmed Pashë Magjari, në kullat e Abdullah Pashë Drenit, në Gjakovë, i cili kishte ardhur me qëllim për t’ i bindur shqiptarët t’ia lëshonin trojet Malit të Zi.

Pas një përleshjeje të përgjakshme, forcat e lidhjes në krye me Sylejman Vokshin, që ishte edhe komandant ushtarak i forcave të Lidhjes, vritet Mehmed Pashë Magjari, Abdullah Begu dhe shumë ushtarë turq. Në atë betejë kishin rënë edhe qindra luftëtarë shqiptarë.

Me qëllim për ta thyer Lidhjen e Prizrenit, e cila nuk i përfillte vendimet e Fuqive të Mëdha, por as të Perandorisë Osmane, për të dorëzuar trojet shteteve të Ballkanit, më 20 dhe 21 prill të vitit 1881, në Fushë të Shtimes, në mes fshatrave Koshare e Slivovë ishte zhvilluar një betejë e përgjakshme mes forcave të gjeneralit turk, Dervish Pasha, që me mijëra ushtarë vinte për ta shuar rezistencën e organizuar dhe forcave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në krye me Sylejman Vokshin, Sefë Kosharen, Mic Sokolin e shumë të tjerë.
Prej vitit 1881 e deri në vitin 1912, trojet shqiptare përgjithësisht e veçmas trojet e Kosovës kanë qenë arenë e luftimeve kundër shteteve fqinje, kundër Stambollit dhe Fuqive të mëdha. Janë të njohura kryengritjet shqiptare në Vilajetin e Kosovës, sidomos ato të vitit 1910, 1911 dhe 1912, ku luftëtarët shqiptarë luftonin në të gjitha frontet dhe kundër të gjithëve.
Luftimet ishin zhvilluar në grykën e Kaçanikut, në krye me Idriz Seferin, në Grykën e Carralevës në krye me Isa Boletinin, në Malësinë e Shkodrës me Dedë Gjon Lulin, në Jug të Shqipërisë me Çerqiz Topullin e qindra atdhetarë të tjerë edhe në viset e tjera të Shqipërisë së katër vilajeteve.

Në kryengritjen e përgjithshme popullore të vitit 1912 kundër shteteve të Ballkanit dhe Aleancës së krishterë sllave, shqiptarët luftuan për jetë e vdekje, ndërsa trojet e tyre u lanë me gjakun e qindra mijëra atdhetarëve të katër vilajeteve.

Kosova e pagoi tagrin në tragjik të ushtrive ballkanike, të cilat kishin për qëllim zhbërjen etnike dhe zhdukjen masive të shqiptarëve në Shqipëri e në Kosovë, meqë në Kongresin e Berlinit, Bizmarku gjerman kishte deklaruar se Shqipëria është vetëm shprehje gjeografike, dhe ajo nuk ekzistonte.
 
28nentor1912.jpg


Më 28 nëntor të vitit 1912, me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, nga Ismail Qemali, Isa Boletini Luigj Gurakuqi e të tjerë, Kosova e viset shqiptare ishin përgjakur nga të katër anët, nga hordat barbare sllave, serbe, ruse, bullgare e greke.

Qindra mijëra shqiptarë të Kosovës, kryesisht popullatë civile gra fëmijë e të moshuar u masakruan nga serbët, grekët e bullgarët, qindra mijëra të tjerë ishin shpërngulur dhunshëm për të Turqi e në vende të tjera të lindjes.

Lëvizjen e Rezistencës kundër pushtimit të trojeve të Vilajetit të Kosovës e kishin marrë përsipër, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Hoxhë Kadri Prishtina, Azem Bejtë Galica, Shote Galica e shumë të tjerë.

Prej vitit 1912 e deri në vitin 1924, forcat çlirimtare të Azem Galicës, Bajram Currit, e atdhetarëve të tjerë kishin luftuar kundër ushtrisë dhe xhandarmërisë së Nikolla Pashiqit. Grupet e armatosura, të cilat regjimi shfaronjës antishqiptar serb i quante “Kaçakë”, nuk kishin pushuar luftën dhe rezistencën qytetare kundër Jugosllavisë deri në prill të vitit 1941, kur Jugosllavia monarkike e despotike kishte nënshkruar kapitullimin nga forcat gjermane dhe kishte krijuar qeverinë kuislinge, profashiste, në Beograd.

Kosova dhe viset shqiptare nën Jugosllavi prej vitit 1941 e deri në vitin 1945 sa do që nën pushtimin italian e gjerman, për herë të parë pas vitit 1912 kishin krijuar Shqipërinë etnike, e cila u quajt edhe Shqipëria e Madhe. Në territorin e asaj Shqipërie bënte pjesë Kosova e Çamëria si dhe trojet shqiptare të Maqedonisë e të Sanxhakut.

Për herë të parë pas vitit 1912, shqiptarët ishin bashkuar, kishin krijuar forcat mbrojtëse, administratën në gjuhën shqipe, shkollat shqip dhe flamurin kombëtar.

Ajo frymëmarrje lirie, katërvjeçare, mobilizoi forcat nacionaliste shqiptare, të cilat pavarësisht kapitullimit të Italisë në vitin 1943 dhe të Gjermanisë në vitin 1945 kishin konsoliduar ndjenjën e lirisë dhe bashkimit kombëtar, e cila rezultoi në Kosovë dhe në trojet e Iliridës, me rezistencën e forcave nacionaliste të NDSH-së, prej vitit 1944 e deri në vitin 1951.

Gjatë kësaj periudhe kohore regjimi jugosllav, sado që kishte burgosur, vrarë e masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë, forcat atdhetare nuk ishin zhbërë, përkundrazi kishin mbajtur gjallë idealin e lirisë dhe bashkimit kombëtar dhe nuk kishin kursyer as jetën e tyre për çlirimin e vendit.

Në vazhdimësi të programit kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e të NDSH-së, në vitin 1963, veprimtari, Adem Demaçi kishte themeluar “Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Trojeve Shqiptare, organizatë e cila mobilizoi forcat atdhetare shqiptare kudo në trojet e pushtuara, duke i dhënë hov të ri idealit për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Nuk mund të mohohet as roli i një segmenti të forcave komuniste shqiptare në Kosovë, të cilët edhe pse u shërbenin interesave të shtetit të përbashkët të sllavëve të jugut, që quhej Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë, i kanë dhënë kontribut fuqizimit të statusit autonom të Kosovës, duke shfrytëzuar liberalizmin jugosllav, sidomos në vitet 70 të shekullit XX.

Po kështu, Jugosllavia Socialiste në krahasim me Jugosllavinë Monarkike, fashiste, njihte të drejtat e kombësive, ndërsa në vitin 1974, Kosovës iu kishte akorduar një status, i cili në disa segmente barazohej me republikat e tjera të shtetit të përbashkët të sllavëve të jugut.

Një rol vendimtar në zgjimin dhe konsolidimin e idesë për liri, drejtësi, barazi kishte luajtur edhe Shqipëria Socialiste në krye me Enver Hoxhën, e cila mbështeti fuqishëm të drejtën e shqiptarëve për Vetëvendosje, ndërsa Enver Hoxha nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Konferencës së Helsinkit të vitit 1975, për mos-ndryshimin e kufijve të shteteve të Evropës, e cila nënkuptonte mospajtimin e Shqipërisë me caktimin e dhunshëm të kufijve, si rezultat i ndarjes së sferave imperialiste të interesit, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Në vitet 70 dhe 80 të shekullit 20, shqiptarët liridashës nga Kosova dhe viset e pushtuara nën Jugosllavi, kishin konsoliduar Frontin e Rezistencës aktive, duke shpalosur programin kombëtar e politik mbi të drejtën e popujve për vetëvendosje, duke u thirrur në të drejtën historike dhe etnike, në rezolutën e Konferencës së Bujanit të fillim-vitit 1944 dhe duke kërkuar që Kosovës t’ i njihej statusi i Republikës, ashtu sikur gjashtë republikave të tjera të ish-RSFJ-së. Shqiptarët ishin popullata e tretë në numër në ish-Jugosllavi, pas serbëve e kroatëve.

Në mars dhe prill të vitit 1981 në Kosovë dhe viset shqiptare kishte shpërthyer revolta popullore me kërkesë për liri, drejtësi, barazi dhe krijimin e Republikës së Kosovës. Protestat e rinisë studentore dhe punëtorisë shqiptare të Kosovës u shtypën me dhunë dhe kjo çoi deri edhe në rrëmbimin e armëve, në përpjekje për kryengritje të armatosur.

Prej vitit 1981 e deri në vitin 1989, kur u pezullua edhe autonomia e Kosovës nga regjimi serb i Milosheviqit, dhjetëra mijëra shqiptarë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Kosova Lindore iu kishin bashkuar Lëvizjes atdhetare për krijimin e Republikës së Kosovës. Disa mijëra u nxorën para Gjykatave të ish-RSFJ-së dhe u dënuan prej një deri në 20 vjet burg, por ideali për çlirim dhe bashkim vetëm sa ishte kalitur e përforcuar.

Klasa politike zyrtare e Kosovës, duke qenë se nuk i besonte mundësisë së ndarjes nga Jugosllavia dhe duke qenë besnike ndaj të ashtuquajturit bashkim vëllazërim, degjeneroi në një klasë tërësisht vasale. Në fund, pasi Jugosllavia kishte pezulluar autonominë e Kosovës, forcat komuniste shqiptare, tanimë të degraduara dhe të shtrydhura nga Beogradi, formuan Lidhjen Demokratike të Kosovës në dhjetor të vitit 1990, duke e regjistruar në Beograd, por me kërkesë për krijimin e Republikës së Kosovës, në mënyrë paqësore.

Në mungesë të besimit në fitore kreu pacifist i LDK-së kishte paraqitur një platformë të quajtur paqësore për zgjidhjen politike të statusit të Kosovës, fillimisht në kuadër të Federatës jugosllave, e cila asokohe kishte filluar të shpërbëhej edhe me luftë të armatosur në Slloveni, Kroaci dhe në Bosnje e Hercegovinë.

Forcat atdhetare të Kosovës e më gjerë, pjesa e saj militante, që ishte pozicionuar me programin kombëtar të Lëvizjes për krijimin e Republikës së Kosovës, pastaj të Lëvizjes Popullore të Kosovës, me kohë kishte përqafuar programin e kryengritjes së armatosur, si mundësi të vetme për shkëputje nga robëria shekullore jugosllave e serbe.

Për këtë qëllim ishin krijuar grupe të rezistencës së armatosur në Drenicë, Llap, Dukagjin e vise të tjera, nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës cilat i kishin vënë vetës për detyrë t’i përgjigjeshin me armë dhe rezistencë forcave policore serbe dhe tërë aparatit represiv të regjimit të Beogradit, i cili shqiptarëve në Kosovë u kishte pezulluar madje edhe të drejtat elementare njerëzore e kombëtare.

Segmenti më i konsoliduar i kësaj rezistence aktive, të armatosur, ndodhej në Drenicë, në krye me Adem Shaban Jasharin e Prekazit me vëllezër, kushërinj e të afërm, pastaj komandanti, Zahir Pajazitit në Llap e në Prishtinë, vëllezërit Haradinaj në Dukagjin, dhe celula të tjera të armatosura të cilat u bënë bërthama të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u paraqit publikisht, përmes komunikatave të LPK-së, qysh në vitin 1994 ndërsa doli në skenë më 28 nëntor të vitit 1997.

Lidhja Demokratike e Kosovës priste që regjimi në Beograd nën presionin e faktorit ndërkombëtar të zgjidhte çështjen e statusit të Kosovës duke u thirrur në deklaratën e shpalljes së pavarësisë nga delegatët e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës të vitit 1991. Kosova kishte pranuar sistemin shumëpartiak dhe kërkonte zgjidhjen e problemeve me dialog. Si rezultat e zgjedhjeve të përgjithshme të cilat nuk i kishte penguar Beogradi, klasa autonomiste pacifiste e Kosovës, kishte formuar Qeverinë në ekzil, po ashtu edhe një krah të forcave të armatosura të kësaj qeverie, të cilët nuk u pajtuan me kreun e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk e njohën Shtabin e Përgjithshëm të kësaj ushtrie, dhe gjatë rërë kohës së luftës mbeten në pozicionet e tyre të pritjes, në Tiranë dhe në disa kazerma të Shqipërisë. Një pjesë e këtyre forcave u inkuadruan në luftën e UÇK-së, veçmas në brezin kufitar, Kosovë-Shqipëri duke njohur paraprakisht luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po jo Shtabin e Përgjithshëm të saj.
 
uck22-660x330.jpg

Prej daljes publike të UÇK-së, në Drenicë, më 28 nëntor të vitit 1997

Prej daljes publike të UÇK-së, në Drenicë, më 28 nëntor të vitit 1997,
që doli si rezultat i Betejës paraprake në Ludoviq, tani Rezallë e re, të Drenicës, të cilën e kishte udhëhequr komandanti i UÇK-së, Adem Jashari me shumë bashkëluftëtarë të bërthamave të para kryengritëse e deri te Beteja e 5. 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori përsipër kryengritjen e armatosur, e cila i vuri themelet e forta të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës me rënien heroike të Komandantit Adem Jashari dhe Jasharëve të Prekazit. Prej marsit e deri në qershor të vitit 1998, radhëve të UÇK-së iu kishin bashkuar mijëra liridashës jo vetëm nga Kosova por nga të gjitha viset etnike të Shqipërisë.

Gjatë asaj kohe ishte konsoliduar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte zgjedhur zëdhënësi politik, Jakup Krasniqi dhe një pjesë e anëtarëve të Shtabit ndodhej në zonat e luftës së UÇK-së. Fillimisht ishin caktuar pikat luftarake të UÇK-së po thuajse në të gjitha pjesë rurale të Kosovës.

Pas ofensivave të verës që ndërmori Ushtria dhe Policia serbe kundër pikave frontale të UÇK-së, Shtabi i Përgjithshëm në tetor-nëntor të vitit 1998 ishte ristrukturuar duke konsoliduar radhët dhe duke formuar Shtatë Zonat Operative, që vepronin në Kosovë.

Zona Operative Nr.1 e Drenicës, 4 brigada,

Zona Operative Nr.2 e Pashtrikut, 6 brigada,

Zona Operative Nr.3 e Dukagjinit, 8 brigada,

Zona Operative Nr.4 e Shalës, 4 brigada,

Zona Operative Nr.5 e Llapit, 4 brigada,

Zona Operative Nr.6 e Neredimes, 3 brigada,

Zona Operative Nr.7 e Karadakut me një brigadë.



Betejat e UÇK-së

Beteja e parë
e fuqishme e UÇK-së, përballë forcave të motorizuara serbe është zhvilluar më 26 nëntor të vitit 1997, në rrugën: Skënderaj-Klinë, në fshatin Ludoviq, tash Rezallë e Re. Atë ditë forcat e motorizuara serbe janë goditur nga luftëtarët e Adem Jasharit dhe janë tërhequr prapa me dëme të konsiderueshme në teknike lufte. Beteja është zhvilluar dy ditë para daljes publike të UÇK-së. Atë ditë në betejë ka marrë pjesë vetë Legjendari, Adem Jashari dhe shumë nga luftëtarët e bërthamës së parë të UÇK-së.

Beteja në Likoshan e Qirez, më 27 shkurt 1998.

Beteja më 5.6. 7 mars 1998 te Jasharët, me ç rast ranë 56 anëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari, në mesin e tyre edhe komandanti i UÇK-së, Adem Jashari.

Më 24 mars 1998 është zhvilluar Beteja në Gllogjan të Deçanit në kullën e vëllezërve Haradinaj: Luan, Ramush, Shkëlzen, Daut e Enver Haradinaj.

Beteja në Gjergjicë maj 1998, ndërsa Zënia e Grykës së Llapushnikut më 9 maj 1998.

Beteja në Bardh të Madh, 29-30 qershor 1998 ku ka marrë pjesë komandanti, Fehmi Lladrovci.

Zënia e Grykës në Caralevë më 14 qershor 1998.

Beteja e njohur dy-mujore maj qershor e Smolicës, në rrethin e Gjakovës.

Beteja e Gabrricës në Kaçanik më 11 gusht 1998.

Beteja në Grykën e Llapushnikut më 25 dhe 26 korrik 1998, ku forcat serbe për herë të parë kishin vënë në veprim më shumë se 120 tanke, topa të kalibrave të mëdhenj, disa raketahedhës dhe mjete të tjera të motorizuara. Në këtë Betejë kishte rënë komandanti Imer Alushani.

Beteja e Zborcit të Shtimes më 25 korrik 1998.

Beteja e Junikut më 10 gusht 1998.

Beteja më 22 shtator në Drenicën Qendrore, të cilën e udhëhoqi komandanti, Fehmi Lladrovci.

Beteja e Jezercit 22-23 shtator 1998.

Beteja e Vërrinit në verë të vitit 1998.

Beteja e Bajrakut, në Lluzhnicë në krye me Ismet Jasharin Komandant Kumanova, më 24 dhe 25 gusht 1998.

Beteja e verës dhe të dimrit në Shalë të Bajgorës.

Beteja e Qyshkut të Pejës.

Betejat e Rugovës.

Beteja e Dollcit në Klinë.

Beteja e Budakovës, e Semetishtit, e Malishevës.

Beteja e Llapit te Tabet e Llapashticës në dhjetor të vitit 1998.

Beteja e Mujë Krasniqit të Gorozhup të Pashtrikut, më 14 dhjetor 1998, me ç rast ranë 41 dëshmorë të UÇK-së.

Beteja e e 22 shkurtit e vitit 1999 në Zonën e Shalës në mbrojtje të Shtruerës (Shtitaricës), Lugmirit (Dalakut) Akrashticës, Bukoshit, Liqenjëve dhe Taraxhës së Vushtrrisë.

Beteja e Pustenikut në zonën e Kaçanikut në maj të vitit 1999.

Beteja e Zhegocit në zonën e Karadakut.

Beteja e Marecit e 16-18 prillit të vitit 1999 ku ranë më shumë se 30 dëshmorë.

Beteja te shkëmbi i Gradinës, në Berishë, më 18 prill 1999.

Beteja në Qafë Hajlë të Rugovës në prill të vitit 1999.

Beteja e Abrisë, Likocit, Rrezallës, Prekazit, Polacit, Gradicës, Melenicës, Artakollit, Aqarevës, Kopiliqit, Gradicës, e shumë të tjera, (të cilat do të evidentohen kohë pas kohe)

Vendime të SHP të UÇK-së me rastin e konsolidimit të radhëve gjatë viteve 1998-1999

Me vendim të SHP të UÇK-së, në korrik të vitit 1998, Adem Demaçi
ishte emëruar zëdhënës i përgjithshëm dhe përgjegjës për ndërtimin e institucioneve. Në vitin 1999 Demaçi kishte udhëhequr zyren e UÇK-së, në Prishtinë.

Me vendim të SHP të UÇK-së, më 13 nëntor të vitit 1998 janë themeluar Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia e lajmeve Kosovapress.
Më 4 janar të vitit 1999 kanë filluar transmetimin nga zonat e luftës në fshatin Berishë, Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress, që ishin dy institucionet e para informative të UÇK-së.

Vendimi për mobilizim të përgjithshëm mars 1999

Gjatë luftës së UÇK-së është i njohur edhe aksioni ushtarak i SHP të UÇK-së, “Shigjeta”
në Pashtrik, aksion i përqendruar i shumë njësiteve e brigadave të Anadrinit e të Dukagjinit që kishte qëllim për të krijuar një korridor të armatimit për në zonat e luftës në Kosovë. Beteja e Kosharës ka zgjatur në muajt: prill, maj, qershor 1999.

Betejat e pandërprera të brigadave të Pashtrikut në brezin kufitar prill, maj qershor 1999.

Një aksion tejet i rëndësishëm i luftës është kryer nga njësitë e Komandantit, Besim Mala dhe Shtabit të Brigadave, Ismet Jashari, Fehmi Llardovci, Mujë Krasniqi, në natën mes 21 dhe 22 majit të vitit 1999, me rastin e rrëmbimit të armatimit dhe minave tokësore në Kazermën e ushtrisë Jugosllave afër Magurës, kur u morën qindra mina antitank, me të cilat u vulos edhe fati i luftës në Drenicën jugore, në Zonën e Llapushës e më gjerë.

Aksionet e Njësive Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të cilat janë ndërmarrë në shumë zona të Kosovës.

Aksionet luftarake në Zonën e Neredimes e pashtrikut nga Brigada e Jetullah Qarrit, Komandant Guri.

Gjatë dy viteve të luftës në Kosovës janë zhvilluar edhe beteja të tjera në shtatë zonat operative.

Serbia, gjatë luftës së viteve 1998-1999, kishte sjellë në Kosovë dy të tretat e kontingjentit ushtarak e policor. Vetëm në brezin kufitar me Shqipërinë kishte dislokuar mbi 50 mijë forca. Gjatë luftës në Kosovë armata serbe ka angazhuar qindra tanke, qindra armë të rënda të artilerisë, më shumë se 150 mijë ushtarë e policë dhe si shumë hordhi paramilitarësh, grupesh e bandash të armatosura.

Në betejat e UÇK-së kanë rënë rreth 2000 dëshmorë, janë plagosur me mijëra pjesëtarë të UÇK-së, ndërsa serbët kanë vrarë e kanë masakruar më shumë se 12 mijë shqiptarë, burra, gra e fëmijë. Ende nuk dihet fati i rreth 1600 të tjerëve, për të cilët me të drejtë dyshohet se regjimi ua ka humbur të gjitha gjurmët. Në luftën e UÇK-së në Kosovë dhe në bazat e logjistikës së luftës në Shqipëri kanë marrë pjesë rreth 18.000 luftëtarë të lirisë.
 
Betejat në arenën politike e diplomatike

Më 6 shkurt 1999 nisi Konferenca paqësore për Kosovën në Rambuje të Francës, me ndërmjetësimin e Grupi i Kontaktit dhe pjesëmarrjen e delegacioneve nga Kosova dhe Serbia. Konferenca zgjati 17 ditë dhe përfundoi pa sukses, për shkak të kushteve të papranueshme që Serbia i kishte vënë Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar. Delegacioni i Kosovës pranoi propozimi-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës. Delegacioni serb mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos iu lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë ne kuadër të Kombeve te Bashkuara. Më 18 mars delegacioni i Kosovës nënshkroi marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb nuk pranoi. Pas 6 ditësh nisën bombardimet e NATO-s kundër forcave ushtarake të Serbisë.

Si rezultat i konferencës së Rambujesë ishte marrë vendim për krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, të cilën nuk e pranoi LDK-ja, meqë ajo njihte për legjitime Qeverinë e improvizuar të Bujar Bukoshit. Hashim Thaçi ishte zgjedhur kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ndërhyrja e forcave ajrore të Aleancës Veri-atlantike, NATO, kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë, e cila filloi me 24 mars, shënoi fillimin e bombardimeve për 78 ditë mbi ato caqe. Më 10 qershor të vitit 1999, forcat serbe të Milosheviqit nënshkruan kapitullimin, në Kumanovë të ish-RJ të Maqedonisë, me ç rast ishin obliguar të tërhiqeshin nga Kosova të gjitha forcat ushtarake e policore serbe por edhe tërë administrata shtetërore me të gjithë dikasterët.

Kosova, në bazë të Rezolutës 1244 ishte nën Protektoratin e Këshillit Sigurimit të Organizatës Kombeve të Bashkuara, çka nënkuptonte Administrimin e përkohshëm të Kosovës nga misioni i UNMIK-ut, i cili udhëhiqej nga Autoriteti i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Forcat e UÇK-së hynë në Prishtinë më 11 qershor, ndërsa forcat e këmbësorisë së NATO-s hynë nga Shkupi më 12 qershor të po atij viti.

Themelimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ndodhi si rezultat i një kompromisi mes demilitarizimit të plotë të UÇK-së, që për kohën, në verë të vitit 1999 konsiderohej se do ishte veprim i rrezikshëm, dhe formimit sa për sy e faqe të një organizate civile për raste emergjente dhe deminimin e territorit të vendit pas luftës, e cila u quajt TMK. Në aktin e demilitarizimit të UÇK-së, që parashihej edhe nga vendimet e Konferencës së Rambujesë, mori pjesë kreu i luftës së UÇK-së dhe pikërisht për këtë mijëra luftëtarë të lirisë iu binden verbërisht këtij veprimi, meqë shpërbërja e UÇK-së ishte nënshkruar nga kreu politik dhe ushtarak i luftës, nga Hashim Thaçi dhe Agim Çeku.

Shpërbërja e TMK-së është bërë me pajtimin e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe të huaj. Shpërbërjen nuk e ka kundërshtuar kreu i TMK-së, as Presidenca, as Qeveria dhe as Kuvendi i Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës, u formua me 21 janar 2009, pas shpërbërjes se TMK-se FSK-ja ende ndodhet ne fazën drejt formimit te një ushtrie plotësisht funksionale dhe përbehet nga 4000 ushtar aktiv dhe nga 2500 rezerviste. Kundër formimit të FSK-se është shprehur fuqishëm qeveria e Serbisë. Sipas pikëpamjeve te saj, FSK-ja e forcën, siç thonë ata, me tutje pavarësinë “ilegale” te Kosovës dhe me tutje e shkel Rezolutën 1244 te OKB-se.

Më 29 Tetor të vitit 2000, në Kosovën e administruar nga paqeruajtësit e NATO-s dhe të mbikëqyrura nga 1000 vëzhgues ndërkombëtarë, u zhvilluan zgjedhjet e para të lira në Kosovën e çliruar. Ato ishin votimet e para, për organin më të lartë legjislativ në Shtetin e ri të Kosovës. Mirëpo, me kalimin e kohës, sipas Rezolutës 1244, UNMIK-u kishte për detyrë të i ndihmonte vendorët në krijimin e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës, së pari u formua Këshillit Përkohshëm Administrativ, në të cilin ishin të përfaqësuara të gjitha grupet politike dhe bashkësitë etnike që jetojnë në Kosovë në atë kohë. Në vitin 2001 nxirret Kornizën Kushtetuese të Kosovës, dokument i cili ishte miratuar me konsensus në mes të strukturave ndërkombëtare dhe UNMIK-ut në njërën anë dhe atyre vendore të KPA-së. Në bazë të Kornizës Kushtetuese filloi ndërtimi i institucioneve vendore nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Ndërkombëtarët i njihnin të drejtat për krijimin e institucioneve vetëqeverisëse, si ato qendrore ashtu edhe lokale, përmes zgjedhjeve të lira dhe votës së lirë të qytetarëve për të dy nivelet e pushtetit.

Fillimi bisedimeve në Vjenë më 20 shkurt 2006

Në pallatin Daun-Kinski të Vjenës më 20 shkurt 2006 kishin filluar bisedimet direkte mbi statusin e ardhshëm të Kosovës. Pjesëmarrësit e dy delegacioneve me nga tetë anëtarë fillimisht i kishte takuar i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari. Negociatat fillimisht i kishte zhvilluar zëvendësi i Ahtisaarit, Albert Rohan. Përveç tij, bashkësinë ndërkombëtare e përfaqësojnë i dërguari i BE-së, Stefan Lehne, një përfaqësues i Amerikës dhe dy përfaqësues të UNMIK-ut.

Bisedimet e Vjenës nuk sollën asnjë rezultat konkret, meqë delegacioni serb kishte bërë të ditur paraprakisht se nuk do të pajtohej me pavarësinë e Kosovës.

Pas bisedimeve në Vjenë, Kosova tashmë kishte fituar të drejtën që të ketë kryetarin e Shtetit, Qeverinë si dhe Kuvendin e përbërë nga 120 ulëse, 100 ulëse për deputetët e zgjedhur nga vota e lirë, ndërsa, pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve dhe numrit të fituar të votave, 10 ulëse janë të rezervuara për deputet e minoritetit serb si dhe 10 të tjera të rezervuara për minoritetet tjera si turq, egjiptas, boshnjak, ashkali, rom etj.). Kryetari dhe Kryesia e Parlamentit, Komisionet dhe Grupet parlamentare dhe Qeverinë e Kosovës.

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008. Atë ditë Kryeministri Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës, para kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, 109 deputetëve të pranishëm si dhe para kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, shpall Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në një mbledhje ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur.

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar kërkoi vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik 2010, Gjykata konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi, nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
 

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.