PASKAJORJA E GEGNÎSHTES
G'juhtarët e mêçem gegë, tue u nisë prej g'juhve t' kultivueme t' Europës prendimore e kryesisht prej latinishtes e italishtes, germin "infinitiv" e dhanë s' pari "percaktues" e mâ vonë "paskajore", pra, qi nuk ka cak, qi nuk ka skâj. Ata e dijshin mirfilli se vetem paskajorja e gegnîshtes âsht plotsisht e barazvlershme me paskajoret e g'juhve tjera, prandej e perdoren si formë perfaqsuese t' foljes nder fjalorë, sikursè duhet me u perdorë edhe sod: me lá.., me shkue, me lye, me zie; me dalë, me marrë, me hapë; me xânë me pí, me dijtë, etj., etj..
Prej g'juhësh s' hueja, po marrim shêmbuj vetem per dý synesh: prej italishtes (per gjûhët neolatine) e prej rusishtes (per g'jûhët sllave): italisht: parlARE (me folë), vedERE (me pá), sentIRE (me ndîe); rusisht: sllushat (me ndie), kriçat (me bertitë), ljetit (me fluturue).
"Akademikët e Tiranës, por edhe ata t' Prishtinës, paskajoren e gegnîshtes e druen si djalli temjânnin. Me bâ me u futë kjo paskajore n' "standard" (gjâ qi s' ka me ndodhë!), kishte me rá termek i madh e me u shkatrrue krejt godina e bâme per ngut e "standardit". Mâ mirë lè ta perdorin kët paskajore dý t' tretat e shqiptarve, sesá me e perdhosë tue e futë n' "standard"!!! N' daçin tosklt me e marrë paskajoren e gegnîzhtes, lè ta marrin, se nuk po i pret kush (sadoqi jam i sigurt se nuk ua bluen midja), por né nuk duhet me na pengue askurrkush (me urdhna e dekrete), por me na lânë me e perdorë sikursè e kemi perdorë gjithherë n' shkrimet tona!!!...
Zavendsimi i dhûnshem i paskajores me lidhoren, e ka vorfnue shqipen, por s' kemi çka me bâ kur toskët vetë e kanë pranue. Gegnîshtja nuk e pranon. Ajo ka (edhe perdor) edhe PASKAJOREN, edhe LIDHOREN. Madjè gegnîshtja perdor bukur edhe paskajoren me PER T(Ë), edhe atê me PER ME. Ndoshta, me kët zavendsim, kta "akademikë të shquar" kanë dashtë me u perg'já kojshijve (mundet edhe "miqve") t' tyne balkânas...
Çuditem me disa kosovarë, kryesisht ata qi e xânë vedin per t' shkolluem, t' cilët, tue u mundue me u paraqitë sa mâ zelltarë t' g'jûhës ashtu t' quejtun letrare a standard, kur flasin (sidomos), per me e zavendsue paskajoren e gegnîshtes (t' tynen, prá!) me lidhoren e toskëRishtes, gabojnë trashë, tue e dhânë veten e tretë njêjës n' veten e parë njêjës: atij i duhet të SHKOJ (per: të shkojË).
G'juhtari kosovar Nuhì Veselaj, nder tjera, shkruen per "bashkëveprimin ndërdialektor për të thithur me kritere të përcaktuara shkencërisht çdo vlerë që ka secili dialekt..."3). Na shtojmë: A ka pasë edhe mâ perpara bashkveprim nderdialektor? N' kjè se JO, kot me u rropatë me e sendertue me zor! N' kjè se PO, lè ta lâmë me veprue natyrshem (sikursè na porosit Konica i mirë), pa i injektue GJYLPÂNA SPORTISTASH!!!
N' lidhje me kët (ku trajtohet, pra, edhe çashtja e paskajores), nuk mundemi me ndêjë pa e ndeshë pak (dashamirsisht) prof. Idriz Ajetin, i cili shkruen se "...gjuha letrare që asht në përdorim në Shqipni NUK ASHT TOSKNISHTE, POR E NJOMUN ME GEGNISHTE..." (nenvizimi êm, krahas atij t' lrofesorit - P. Rr.) 4). Profesori i nderuem bân pjesë n' grupin e atyne njerzve t' sinqertë, qi, tue kênë fort t' dijtun, kur entuziazmohen prej nocioneve kombtare (e jo pa t' drejtë!), largohen (pa dashtë) prej parimeve shkencore g'juhsore... Un nuk due me e fye profesorin (larg kjoftë!), por nuk mûndem me ndêjë pa shenue ktu se ajo "gjuhë letrare" (tash janë t' shternguem me i thânë "standard"), qi perdoret sod n' Shqipnî, ÂSHT TOSKËrISHTE E PSHURRUN DHUNISHT ME DO GJÂNA VJEDHË GEGNÎSHTES. Jam i t' njâjtit mendim me çka shkruen N. Veselaj (gjithnji n' lidhje me padkajoren), n' vepren e tij: "... kur i kemi dy duar, pse mos t' i fusim në përdorim të dyja, kur i kemi dy sy, pse mos të shikojmë me të dy, ..., kur këtë mundësi e kënaqësi na ofron struktura e gjuhës sonë amtare, si e zoja e vetvetes, e cila e ka të mbrujtur atë gatesë hyjnore nga sofra magjike e shpisë së vet, pa pasur nevojë me dalë me lypë.hua gjetiu." 5). Por shtojmë: dy duer e jo vetem njâna, e preme e e cungueme; dy sy e jo veç njâni, i qorruem!... Duert e shqipes duhet me kênë te dýja t' lame e t' pastrueme! A nuk thomi: me duer t' pastra?!... Sytë e shqipes,, edhe po kjè se kanë nevojë per lente, duhet me kênë te dýja n' nji numer! Por, per t' perdorë termat e studiueses s' vlertë L. Shamku-Shkreli, me kênë se toskëRishtja âsht "tejet e konsumuar" e gegnîshtja "është lënë të atrofizohet" 6), g'juha shqipe po shkon, kshtu, kah teposhtja. Duhen mârrë masa per mos me e lânë me rá n' humnerë!!!...
Vêni ré se si kanë ardhë tue e shmângë paskajoren, derisá e kanë asgjasue: n' "Fjalor i gjuhës shqipe"; Tiranë, 1954; n' shenimin 10 t' f. 302, ler parafjalen ME, shkruhet: "formon paskaboren: - qenë (=me qenë - P. Rr); do - thënë (=do me thënë - P. Rr); - shkue ( =me shkue). Pra, âsht fjala per paskajoren e gegnîshtes: ME + pjesore. Shihet se ktu kanë dorë mjeshtrat e vertetë t' g'jûhës, si: K. Cipo, E. Çabej, M. Domi, A. Krajni e O. Myderrizi
N' "Fjalor i gjuhës së sotme shqipe"; Tiranë, 1980, f. 1104, shebimi 2 i nendamjes II t' pikës 15 (shtylla e dytë), per kët parafjalë, shkruhet: "Përdoret zakonisht (!!! - P. Rr.) në të folmet e Veriut me pjesoren për të formuar një nga trajtat e paskajores. Me qenë. Me marrë. Me dalë." Vêni ré, me kujdes, se si janë rrekë me e perbuzë, me fjalen "zakonisht" e me shprevjen "në të folmet e Veriut". Tashmâ, per ata, nuk bâhet fjalë per kryedialektin e gegnîshtes.
Në "Fjalor i gjuhës shqipe"; Tiranë, 19t4, f. 393, shenimi 14, per parafjalen PËR, shkruhet: "formon paskajoren E DYTË (nenvizimi êm - P. Rr.) në fjalinë qëllimore: do të vete në pazar - të blerë... (=për të blerë...). Pra, del e kjartë mirffilli se paskajorja E PARË âsht: ME + pjesore, kursè E DYTË ndertohet me parafjalen PËR.Edhe ktu duket dora e mjeshtrit.
N' "Fjalor i gjuhës shqipe";Tiranë, 1980, f. 1417, shenimi 2, nendamja I e pikës 22 (shtylla e parë), per parafjalen PËR, shkruhet: "Përdoret për të ndërtuar PASKAJOREN e foljeve. Shkuam për të punuar. Ishin të vendosur për të luftuar. Kemi të gjitha kushtet për t' u mbrojtur.". Po e lâmë ideologjizimin "luftë-mbrojtje", por po shenojmë se paskajoren e dytë (tynen) e kanë bâ t' parë e t' paren (t' gegnîshtes) e kanë zhdukë. Kushdò e dallon kjartë qellimin e keq...
PASKAJORJA, si perfaqsuese e foljeve ?t' cilat perbâjnë boshtin e fjalisë) e njiherit si kulmi i abstragimit t' veprimit, âsht ajo mnyrë qi kallxon "vitalitetin e pasurisë së gjuhës sonë..." 7) (t' gegnîshtes - P. Rr.).
Qysh n' fjalorin e parë serioz t' shqipes gegnîshte, atê t' Frano Bardhit, 1635 e tue vazhdue me gjith fjalorët tjerë (deri n' periudhen e Luftës II Botnore), foljet janë vû n' PASKAJOREN E GEGNÎSHTES. Per me e shmângë kët paskajore, g'juhtarët e diktaturës komuniste i regjistruen foljet nder fjalorë (1954 e ktej) me formen e vetës I, njêjës, koha e tashme e mnyrës diftore:bëj, punoj, ziej, luaj, lyej, kap them, flas, marr, dal, lë, zë, ha. Ktu gjêjmë rastin me i bâ vrejtje edhe M. Emezit, i cili, n' fjalorin e vet, foljet i ka dhânë (me ngjyrë t' kuqe) n' veten I, sikursè fjalorët e kohës s' diktaturës e mandej kthehet e i skjaron me PASKAJOREN e tyne. Ishte dashtë me i dhânë foljet drejtperdrejt n' paskajore: me bâ, me mârrë, me punue, etj., etj...
Me kët rast, nâ mendojmë se, tue u nisë prej paskajores si trajtë peraqsuese e foljes, zgjedhimet e foljeve t' shqipes kishim me i percaktue si mâ poshtë:
Zgjedhimi I PARË: me punue (M. e Madhe: me punua), me lye, me zie (mbarojnë me temë n' togzanor)
Zgjedhimi I DYTË: me pas(ë), me kên(ë) = me qen(ë), me mârr(ë), me fol(ë), me prit(ë), me kap(ë), me dal(ë). Mbarojnë me temë n' bashktingllore, se "ë" nuk perfillet, me kênë se nuk shqiptohet.
Zgjedhimi I TRETË: me bâ, me lá, me thá, me kjá, me nxî, me pré, etj. (mbarojnë me temë n' zanore t' theksueme)
Paskajorja e gegnîshtes perdoret n' format veprore e pësore (me lá, me u lá); n' t' gjitha llojet e fjalive (per kah intonacioni: diftore, nxitse e pyetse: Prindi ka detyrë ME E RRITË fmijen me fé e moral. ME SHKUE a moz ME SHKUE? ME SHKUE!; si edhe per kah ndertimi: kryefjalore, kundrinore, qellimore, kushtore, lejore, rrjedhimore e sasiore. Per kto t' fûndit nuk po sjellim shêmbuj, se zg'jatemi shûm, por, me ndihmë t' Zotit, kemi me i trajtue gjânë e g'jatë nji tjeter herë.); per me ndertue tipa t' ndryshem t' s' ardhmes (Se n' mejdân balozit DUE ME I DALL!; KAM ME DEKË e s' KAM M' E LSHUE.; KA PER T'ARDHË nji ditë edhe per mue.; etj.). Gegnîshtja i ka te trija format e paskajores (qi ndertohet: ME + pnesore): me bâMUN. me bâM(Ë), me bÂ. Ekziston natyrshem edhe e shkuemja e paskajores: "Qi veç n' ânderr m'e pasë pá,/Drue se t' pakët të kishte rá." (Át Gj. Fishta, Lahuta.., kânga XX). Veç ksaj, paskajorja e gegnîshtes i kryen t' gjitha funksionet n' fjali: funksion kryefjalor, kallxuesor, kundrinor i drejtë, percaktor, rrethanor; si kryegjymtyrë e nji fjalie t' pamvarun, etj. Duhet shtue ktu se "... rëndësia e veçantë e paskabkres së geglrishtes del në pah edhe gjatë përkthimit të foljeve nga gjuhët e tjera, që kanë paskajore të ngjashme me të, mbasi asnjë mënyrë a trajtë tjetër foljore e shqipes nuk u përgjigjet barasvlershëm atyre."
Sikursè u çek mâ nalt, paskajorja e gegnîshtes perbân kulmin e abstragimit t' veprimit. Tue e krahasue me lidhoren ose me paskajoren e dytë: PËR TË, del kjartë forca e saj shprehse: Nuk është e lehtë TË RUASH karakterin,- thonë toskët. Kuptohet qi ktu folja TË RUASH i drejtohet nji tjetri n' veten e dytë, se atij i kumton diçka. Kurse te: Nuk âsht e lehtë ME RUEJTË karakterin (e gegnîshtes) , folja ME RUEJTË u drejtohet t' gjithve, pa veçue askênd.
Per me u shprehë permbi paskajoren e gegnîshtes, do t' kishim me thânë shumçkâ, por, me kênë se korniza e studimit tonë âsht e percaktueme, po mundohemi me e permbyllë me sa mâ poshtë:
E. Çabej e Sh. Demiraj 9) kanë shkrue se paskajorja e gegnîshtes (e tipit: ME BÂ) âsht relativisht e lashtë, kursè abo e tipit PËR TË BËRË (e toskëRishtes), simbas Sh. Demirajt, "... përdoret në funksione, që përfshihen në sferën e funksioneve të paskajores..." 10). Pra, paskajorja e gegnîshtes, si mâ e lashtë, ka ruejtë t' gjitha cilsitë shprehse t' shqipes s' parë (permêndim, sa per ilustrim, se kjo ka tri forma: me bâ, per me bâ, per t' bâ). Madjè, sikursè janë shprehë disa g'juhtarë (por jo E. Çabej), kjo paskajore ka kênë e mbarë shqipes. Kjo âsht n' t' mirë t' tezës sonë: qi gegët nuk i kanë ndryshue tiparet kryesore t' sistemit t' vjeter t' g'jûhës s' tyne, kursè toskët - po. Pra, ky fakt na bân me mendue e me u shprehë se diçka ka ndodhë me toskët, persá i perket g'jûhës.
Paskajorja e gegnîshtes ka kênë e ka per t' kênë pergjjthmonë! A e shkruejnë gegët?... Punë per tâ!... Duhet me e shkrue, por, me e folë, kanë per ta folë gjithmonë! Sa err ata qi rreken me na mbushë mênden se mundet me u futë kjo paskajore n' "standard", mendojmë se gabohen. Paskajorja i ka hije vetem gegnîshtes! Nuk mund t' ketë paskajore "me bË" a "me bËRË", por vetem "me bÂ"!!! Kjo jo vetem qi âsht perdhosje e gegnîshtes, por âsht mungesë respekti edhe toskëRishten, e cila, n' vetvedi, ka bukuritë e t' shprehunit t' saj. Gegët e toskët (shumica e mirë) janë shûm fisnikë ndaj njâni-tjetrit. Ata janë perpjekë e ia kanë mbrrijtë me u kuptue. As mâ parë, as tash e as kurr, paskajorja e gegnîshtes nuk e ka prishë (e s' ka me e prishë!) unitetin kombtar! A mos mendojnë disá "akademikë" t' Tiranës, por edhe t' Prishtinës (qi vetem atdhetarë nuk janë), pra, a mos mendojnë ata se po e forconka kët "unitet" mosperdorimi i paskajores s' gegnîshtes?!... Nuk na ka dá g'juha asnjiherë. Tjeterkush âsht mundue me na dá, sikursè âsht famkeqi "Kongres i drejtshkrimit" i vjetit 1972...
E çka mund t' ketë mâ t' bukur se:
Tri herë dielli ka prendue,
Tri herë hâna ka ague,
Kerkûnd zjarmi ME PUSHUE. 11)
ose:
ME IU DHIMBTË, po, mînit n' múr,
ME IU DHIMBTË gjarpnit nen gúr! 12) ?!...
Provoni me i zavendsue tri foljet e sipershenueme me: PËR TË PUSHUAR; PËR T' IU DHIMBSUR... Nuk bân! Shala âsht bâ vetem per kalë!...
Mârrë prej librit têm "GEGNÎSHTJA - NJI VISÁR I NEPERKÂMBUN"