Etyd
Pemët rrëzojnë gjysmëhënat e vjeshtës,
në fije drite muzgjet qëndisen
me gjilpërën e imtë të vetmisë.
Po thinjen puset; në jermin e heshtjes
mbi horizonte prapë po shtrihen hardhitë…
Kështjella prej rëre merr era mbi brigje,
fantazma fëmijësh sjellin detin në kova
të kuqe, drejt e në buzët e ëndrrave tona;
mbi shpinën e krisur të shkëmbit përgjaket
një lulëkuqe
dhe stina s’ka moshë…
Edhe pak më duhet shpirt dhe do ia dal
ta harroj gjuhën, të folmen, këngën, fjalëzën, jehonën,
kur mbrëmja të ulet në teatrin e syve, në skenën
ku asgjë nuk ndodh dot
pa u ndezur llampëzat e lotëve…
Sonte
Në heshtjen e pafund të kësaj nate,
ti je veç një kujtim vetmie,
trokitje e trembur zogjsh përmbi dritare,
një grusht piklash në ajër, brymë
me shira dhe yj’ të lagur.
Një rënkim sysh…
Përnatë në orën pesë vdes nëna ime,
në drekë im atë mbyll sytë
dhe koha fle.
Jam gjithmonë këtu kur gjërat ndodhin,
në shtëpinë e kyçur me drynin e zërit.
Jam gjithmonë vetëm…
Ti vjen si vetëdija – dy krisma tingujsh,
prani e ndritshme e gjithçkaje të ikur,
pasqyrë me zë kujtese, ëndërr e frikur,
një urë në qiell si pyetje.
Ti vjen si perëndim’ mbi ishull:
në gjunjë ngjyrat shkruajnë harresën
mbi fletën e kaltër të stinës…