Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Ndoc Gjetja ....

Hera

NeTeDy.com ?
STAFF
Adm Nt2
Regjistruar më
Tet 30, 2020
Mesazhe
45,802

Ndoc Gjetja​

poet shqiptar

Ndoc Gjetja (Bërdicë, 9 mars 1944 - Lezhë, 7 qershor 2010) ka qenë poet shqiptar.


Lindi ne Bërdicë fshat i Shkodrës. Kur ishte shtatë vjeç, prindërit e tij u vendosën me banim në Lezhë. Në vitin 1970, filloi të botojë poezitë e para. Merret vetëm me poezi. Është autor i disa vëllimeve poetike. Një studiues i njohur e ka cilësuar Ndocin poet që di me çdo varg t'i bjerë bukur tastierës së humanizmit. Ndërroj jetë me 7 qershor 2010.

103685_orig.jpg
 
LOJË DASHURIE

Ti je mbretëresha dhe unë jam mbreti
e ngjitëm fronin me anë të puthjes
s'pushtuam askënd veç njëri - tjetrit
asnjeri se ndjeu shijen e mundjes.

Ne s'kemi nevojë për kushtetutë
në marrdhëniet tona sundon kaosi
nën cipën e hollë të mirësjelljes së butë
tani bën ligjin vetëm Erosi.

Nuk di deri kur do mbahet në këmbë
mbretëria jonë në çrregullim të plotë
por çasti i rënies s'do jetë i rëndë
do biesh mbi mua që jam shtrirë përtokë.
 
DASHURISË

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj c'të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.

Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s'jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav

Ma ktheve gjuhën në përcartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Vec të lutem mos më lër...
në atë vend ku ti mungon!
 
EPITAF PER VETEN

Ketu prehet ai qe quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht ne bote
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithe njerezit i quante shoke

Kur pa qe enderra kalkulohej me kompjuter
kur pa se idealet rrezoheshin ne kolltuce
kur jepte buzeqeshje dhe merrte skermitje
uri syte me dore dhe vendosi te ikte.

Dhe shkoji e hyri ne manastirin e Unit
te shpetonte shpirtin nga gjuheligat e lehjes
Pastaj e percollen ne banesen e fundit
me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhes.

Ne castin e mbrame nje hene e pergjakur
e puthi ne balle dhe thirri "Nene"
Mos kerkoni te dini per te me teper
se iku sikur te mos kishte qene.
 
* Femrave

Pa ju ne jemi gjysma njerzish
se ju per ne jeni gjysma tjeter
Tek dashuria behemi te plote
as te manget e as te tepert

Sikur te dija te thurja sentenca
ashtu sic fatmiresisht ben Saadiu
Juve do tju jepja metaforen Vreshta
Per vete do te metaforen shiu.

* PUTHJA

Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja
ndodhin në mesin e rrugës së madhe
po ajo më njerëzorja
më e madherishmja, me hyjnorja
puthja
ka mbetur ilegale.

* SIKUR

C'mrekulli do te kishte qene
sikur te jepnin qe sot doreheqjen
presidenti dhe cdo lloji ministri!
dhe ta merrte pushtetin
shpirti.
 
* NJË HESHTJE E BUKUR

Ka heshtje që na thonë gjëra të bukura,
si për shembull fytyra e gruas
në orët e vona të natës
kur e pagjumë numëron me vete
ditët e fundit të barrës.

Ec e thuaj po munde këtë heshtje
ti, muzikant, me nota
ti, piktor, me ngjyra
ti poet me vjersha
dhe ti, aktore e famshme
me gjeste dhe fjalë !

Për ta thënë duhet të jesh
nje grua shtatzënë
domethënë
dyfish e gjallë.

* LUTJE

O Zot që fatet tona në dorë i mban!
Na ruaj nga shëndeti trashaman
na ruaj nga orekset e Sanço Pançës,
na ruaj nga hija e rëndë e famës,
na ruaj nga faqeputhjet helmuese të
Judës,
na ruaj nga orteku rrëmintar i turmës,
na ruaj nga prejardhja prej shimpanzesë
na ruaj nga thyerja e timonit të kresë
na ruaj nga putra pushtetore e Njëshit
na ruaj nga engjëjt, na ruaj nga dreqërit,
na ruaj përditë nga ftohjet e miqësive,
na ruaj, o Zot, secilin prej të gjithëve!
 
KUR FILLOVA NGA PAK TË VDISJA

Kur fillova nga pak të vdisja
mbaj mend, ka qenë e enjte
vetëm ty pranë të kisha
rrije në këmbë dhe heshtje.

Në sytë e tu binte borë,
në fytyrë të fryu Veriu,
unë te brinjët vura dorën
ndjeva zemrën që mërdhiu.

Mbaj mend si e hape derën
si e tërhoqe pas dhe ike,
në palcë të ëndrrës ndjeva therrje
që më vonë m’u bë kronike.

Që ta marr pakëz veten,
vazhdimisht më sjellin njerëzit
reçel të ëmbël buzëqeshjesh
dhe ca pako me ngushëllime.

Përherë i lë në tryezë pa hapur
kompostot me lëng entusiazmi,
e nuk i prek me dorë fare
pjatat plot me optimizëm.

Ah, e humba krejt oreksin
nga ky virus shpirtëror i dhembjes,
me zor flas e me zor qeshi
më kot rri në tryezë të jetës.
 
* ENDERR

Mjaft ndejtem shtrire ketu ne bar!
Mjaft u puthem e dhame perkedhelje!
Eja te hipim mbi ate re te bardhe
edhe te ikim nga kjo bote-lanete.

Do zbresim ne planetin me te afert
nuk prish pune pse je shtatzene
atje do lindim dy binjake
nje djale-yll e nje vajze-hene

Le te jete planeti pa nje frymor!
Te kete vec ujera, pyje, lendina
Me puthjet tona do krijojme
nje popull te madh sa Kina.


* AH!

Ah, të kishim gëzime sa kemi partira,
të kisha dhoma sa kemi ministra,
të kisha shokë sa kemi shefa,
të kisha miq sa kemi gazeta,
të kisha mikesha sa kemi vetura,
ah, të gjithë meshkujt të ishin burra
të kishim njerëz sa kemi banorë
veç qiellin lart të kishim epror.
 
KUR MË JEPET E TËRA QENIA JOTE

Ti je kaq e bukur sa më jepet të pyes:
“Çfarë më je ti? Njeri apo art?”
Të shoh dhe vjershat e shkruara i gris
dhe para teje zbehet çdo varg.

Ti je poezia. Të tjerat janë proza
Ti je poezia që s`bëhet dy herë,
ti je frymëzimi që më dehu dhe bota
më duket e tëra e larë me diell.

Kaq ditë ti ecën përkrahu me mua,
ditë e përditë ne rrimë kaq pranë
sa që më e dashura fjalë “Të dua”
u bë e zakonshme si buka që hamë.

Kur më jepet e tëra qenia jote
marr botën në dorë dhe të fshehtat ia di
dhe puthja përsëritet e bëhet si kopje
them gjëra të mençura që s`kanë poezi.

Prandaj ik e më ler deri në mbrëmje
ose largohu një javë se vij e të marr
unë dua të jetoj me mungesën tënde,
të krijoj pa ty në vetvete një hall.

Më duhet një bosh që kërkon të mbushet,
më duhet një gjemb që nga brenda më ther,
më duhet të krijoj një dimër pa lule,
më duhesh të të dua edhe një herë.
 
* PLEQËRISHTE

Më në fund u plakëm grua,
siç e sheh dhe vetë
me thinja të bardha e rrudha
na mbushi kohë e sertë.

Dhe shëtitjet i rralluam
nëpër dhomë vijmë përqark,
dhe në vend të tyre shtuam
kollën dhe kafenë me pak.

Sa më ka marrë malli, grua
të zemërohem qoftë dhe kot,
si dikur atje tek udha
kur të shihja me një shok.

Ne kemi vite që pasqyrën
e përdorim shumë rrallë
se kemi sytë e njëri-tjetrit
fytyrat tona për t’i parë

E identifikuar...

* PËRGJIGJU

Kur fillova nga pak të vdisja
mbaj mend, ka qenë e enjte
Vetëm ty pranë të kisha
rrije në këmbë dhe heshtje.

Në sytë e tu binte borë,
në fytyrë të fryu Veriu,
Unë te brinjët vura dorën
ndieva zemrën që mërdhiu.

Mbaj mend si e hape derën
si e tërhoqe pas dhe ike,
Në palcë të ëndrrës ndieva therrje
që më vonë m’u bë kronike.
 

AUTOPORTRET
Vendbanimi:
Në Lezhë me trup dhe mendjen emigrante në yje.
Profesioni:
Thurës ëndrrash dhe mbrojtës besnik i tyre.
Gjendja civile:
Mbetje teknologjike e administratës shtetërore
se nuk diti t’u japë përkuljet e duhura eprorëve.
Gjatësia:
E mjaftueshme për të arritur një ditë mollën e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja, sa ndjenja, sa fjala e thënë dhe e shkruar.
Shenja të veçanta:
Një pentagram rrudhash me nota trishtimi në ballë
dhe një mjekër e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
Sytë:
Kafe me nuanca të turbullta pasionesh të djegura.
Ngjyra:
E errët për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh në ditën e lindjes nga Nëna.
Bindjet:
Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm njeriu.
Antipatitë:
Burrat me grada, gratë me shumë tule dhe miu.
Simpatitë:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mançës dhe Buda.
Frikërat:
Shëndoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Në kryqin e tij që e mban përditë në shpinë.
Pasuria:
Drita e mendjes me të cilën fitoj varferinë
 
ed1dd7bd8fa08cd52fb837132914d22a.jpg
 

Postime të reja

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

Choose the color combination according to your taste

Select Day/Night mode

You can use it by choosing the day and night modes that suit your style or needs.

Welcome to the forum 👋, Guest

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.